Bashkëshortja e Mauro Ikardit dhe, në të njëjtën kohë, edhe agjentja e tij, Vanda Nara, thotë se ka klube që janë gati të ndajnë deri edhe në 110 milionë euro që të sigurojnë shërbimet e këtij sulmuesi të Interit. Ikardi, në fakt, zhvilloi një sezon mjaft të mirë me Interin dhe me 29 golat e tij ai është një nga më të merituarit që Interi siguroi vend në Champions-in e ardhshëm. Por, sidoqoftë, ai nuk është thirrur në kombëtaren e Argjentinës.
Vanda thotë se ka klube që janë gati të ofrojnë deri në 110 milionë euro, aq sa është edhe klauzola e blerjes së Mauros, por se prioriteti i tij është Interi. Në fakt, kjo klauzolë do të jetë aktive disa javë në qershor, kështu që, nëse ndonjë klub do të dojë që ta paguajë atë, ai duhet ta bëjë shpejt këtë gjë.
“Unë irritohem, kur disa njerëz e nënvlerësojnë Mauron, ndërkohë që atë e kërkojnë tre klubet më të mirë të botës. Tani, ne do të shohim sesi do të shkojnë bisedimet me Interin, nëse ai do të nënshkruajë kontratë të re apo do të ikë, por prioriteti i tij është që të qëndrojë tek Interi”, tha Vanda.
Sfidanti.al