Milani i ka bërë llogaritë: Ibrahimoviçi është i domosdoshëm!

Edhe për momentin spektaklin po e jep në Suedi, sërish mbetet lojtar i kuqezinjve të Serisë A. Zllatan Ibrahimoviç ka kontratë deri në fund të këtij sezoni me Milanin, dhe klubi italian i ka bërë llogaritë duke nxjerrë një përfundim. Projekti aktual nuk mund të ketë asnjë shpresë për sukses, nëse Ibra largohet, ndaj duhet bërë maksimumi për ta bindur që të vazhdojë.

Sulmuesi suedez është 38 vjeç, dhe është në një udhëkryq, ndonëse forma fizike e tij duket e mirë, ndërsa ai po stërvitet me Hamarbin në Suedi, në kohën që futbolli është i ndërprerë nga koronavirusi. Pra, nuk dihet nëse do të dëshirojë të vazhdojë karrierën, apo nëse do të dojë të mbetet tek Milani.

“Për momentin nuk mund të them gjë tjetër, përveçse që kam një kontratë dhe duhet të shohim sesi do të përfundojnë gjërat, – u shpreh Ibra që nga Suedia, – nuk dimë nëse sezoni do të përfundojë, pasi nuk janë marrë vendime zyrtare. Unë dua që të luaj futboll sa më gjatë që të jetë e mundur, por nuk mund të parashikohet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.

Milani e mori Ibrahimoviçin në janar të këtij viti dhe suedezi pati ndikim të menjëhershëm në formën e ekipit. Ai shënoi disa gola, por sidomos ndihmoi skuadrën që të luante më mirë dhe të fitonte më shumë pikë, duke pretenduar një vend në Europë sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al