A e donit një anti-Juventus në Itali? Ja ku e keni! Është Milani skuadra që po mban hapin e kampionëve dhe që ka më shumë kredenciale të luftojë për titull, se gjithë pretendentët e tjerë. Respekte Napolit, Romës dhe Lacios, por përvoja është gjë e madhe në futboll, dhe Milani e ka të gjithën.
Skuadra 19 herë kampione, mori tripikëshin e radhës, edhe pse në frymën e fundit ndaj Krotones. Në një ndeshje të vështirë, disa herë të pabukur dhe në rrezik madje edhe për të humbur, vendosi sulmuesi i marrë në vetë nga Peskara, Lapadula.
Trajneri Vinçenco Montela u detyrua të improvizonte për shkak edhe të dëmtimit të Bonaventurës, dhe Milani pësoi gol i pari. Shënoi Falçineli për Krotonen, por kuqezinjtë edhe pse të rinj në moshë mundën të barazonin brenda pjesës së parë. Autori, Pashaliç.
Ende me lojë jo të kristalizuar, Milani vuajti mjaft pas pushimit. Donaruma, Paleta, Romanjoli, Soza, Lokateli, Pashaliç, Suso e Lapadula ende nuk janë një formacion plotësisht i pjekur. Gjithsesi, ish-sulmuesi i Peskarës shënoi në minutën e 86-të duke i dhënë fund torturës. Milani ka tani 32 pikë ndaj 36 të Juventusit.