Kriza që e mbërtheu muajin e fundit bëri që Milani të dalë jashtë zonës së Ligës së Kampioneve. Tashmë klima në klubin kuqezi është e tensionuar dhge futbollistët janë në një grumbullim të detyruar si një formë dënimi për ta. Por hallet e Milanit shtohen edhe më dëmtimin e Matia Kaldarës. Një situatë kjo që bën drejtuesit e klubit milanez të mendojnë për një revolucion dhe ajo që flet për dicka të tillë është e përditshmja ‘La Gazzetta Dello Sport’.
Fati i Xhenaro Gatuzos është shkruar tashmë, por sipas kësaj të përditshmeje pronarët e klubit po mendojnë shumë edhe për rolin e Leonardos që rrezikon të shkarkohet nga detyra e tij në fund të sezonit. La Gazzetta Dello Sport thekson se puna e brazilianit nuk i ka bindur drejtuesit e Milanit që janë të shqetësuar edhe nga përplasjet mes tij dhe Gazidis, i cili me ardhjen e tij në muajin janar bllokoi operacionin e rikthimit të Zlatan Ibrahimovic, operacion të cilin Leonardo e kishte përgatitur deri te detajet më të vogla
Gazidis që ka qenë pjesë e Arsenalit u zgjodh me misionin për të shprehur besimin te të rinjtë dhe për këtë arsye, leonardo në verë mund të largohet për t’i lënë vendin Luis Kampos, ish trajnerit dhe aktualisht Drejtorit Sportiv të Lilë që më parë pasuroi Monakon me 300 milionë Euro teksa realizoi transferta rekord të lojtarëve të tillë si Lemar, Fabinjo, Bernardo Silva, Bakajoko e sidomos Mbappe.
Një mik i ngushtë me Murinjon dhe shumë pranë Zhorsh Mendes, Kampos u kërkua me ngulm edhe nga Franko Baldini për të ardhur te Roma, por së fundmi ai u konfirmua në rolin e tij aktual te klubi francez. Por Lilë ka raporte të mira me Eliot dhe kanë një lidhje të ngushtë në aspektin ekonomik dhe nëse Milani do të vendosë të sjellë atë në Itali, me siguri do të gjendet një zgjidhje për ta liruar nga Lilë
Gjithsesi, duket se gjithcka do të varet nga 4 ndeshjet e fundit pasi janë më vendimtaret për cështjen e kualifikimit për në zonën e Ligës së Kampioneve sezonin e ardhshëm.
sfidanti.al