Titullarë apo nga stoli, kjo ka pak rëndësi. Futbollistët shqiptarë janë kthyer në një “pasuri” të vërtetë të Serisë A, duke lënë gjurmë sa herë janë në fushë. Ledian Memushaj u tregua një luftëtar i vërtetë për Peskarën, duke luajtur fort ndaj mesfushës superiore të Milanit, madje duke mos u dorëzuar në “San Siro” as i fashuar në kokë.
Manaj hyri në fushë 13 minuta para fundit, duke luajtur edhe 7 minuta shtesë, madje duke shënuar, por në pozicion jashtë loje. Ishte një gjuajtje e Memushajt, që u grushtua nga Donaruma dhe u dërgua në rrjetë nga Manaj. Milani fitoi 1-0, por me shumë vështirësi dhe tani ndodhet në vendin e tretë të renditjes.
Shqiptari tjetër tepër dinjitoz ishte Frederik Veseli. Mbrojtësi i kombëtares u ndëshkua me karton të verdhë, por ai dhe shokët e tij arritën të ndalnin Romën, në një barazim 0-0 në Empoli. Gjithsesi, meritën kryesore e pati portieri vendas, Skorupski.