“Duhet të marr pushim nga gjuajtjet e penalltive”. Kështu tha Hamdi Salihi pasi dështoi të shënonte në portën e Vllaznisë për Superligën. Ndoshta, një gjë të tillë duhet të bëjë edhe Ledian Memushaj, pasi humbi edhe ai 11-metërshin e dytë radhazi për Peskarën në Serinë A. Kapiteni i abrucezëve e fitoi vetë penalltinë në fundin e pjesës së parë në fushën e Krotones, dhe e gjuajti po vetë, veçse portieri Kordaz u tregua i zoti duke grushtuar. Për Kordazin gjithashtu një herë e dytë radhazi, pasi priti një penallti ndaj Milanit javën e kaluar.
Memushaj duket më i lodhur këtë vit, pas një sezoni të kaluar shumë të ngarkuar që nisi me një sezon shumë të gjatë të Serisë B, me plej ofin, pastaj me grumbullimin përpara Euro 2016-ës, dhe vazhdoi me ngarkesën e madhe fizike dhe psikologjike në Francë. Seria A, një e panjohur e plotë, e gjeti të shtrydhur mesfushorin e fortë të kombëtares shqiptare, që u zëvendësua nga trajneri Odo në minutën e 64-ët. Rej Manaj, në të kundërt, hyri në fushë në pjesën e dytë dhe pati një rast shënimi, por gaboi dhe Peskara humbi 1-2.