Manaj, lojtari që kërkon lavdinë në Serinë A me gjysmë milioni euro në xhep

Rroga e tij në të vërtetë është pak më e vogël, jo më shumë se 420 mijë euro në sezon, pak a shumë sa ajo e Armando Brojës në Angli, por sulmuesi shqiptar nuk dëshiron të bëhet i njohur nga llogaria në bankë. Rej Manaj ka arritur një sukses fillestar në Serinë A italiane duke fituar postin e titullarit tek Specia, ndërsa në fillim ishte në stol. Në ndeshjen e fundit, në humbjen 0-2 në fushën e Romës, ai dha maksimumin e kontributit, ndonëse nuk u vlerësua me notë shumë të lartë për shkak se nuk arriti të ishte i rrezikshëm përpara portës. Manajt iu anulua një gol për shkak të pozicionit jashtë loje të një shoku të skuadrës. “Sot kishim kundër fatin në pozicionin jashtë loje, – tha shqiptari më pas, – janë gjëra që ndodhin në futboll, por shpresoj që të nisim të fitojmë dhe të marrim pikë. Duhet të kemi më shumë kujdes në detajet e lojës, si dhe të jemi të vazhdueshëm për 90 minuta. Nuk ka qenë e lehtë për mua, por trajneri po më ndihmon”.

Sfidanti.al