Në Itali erdhi që nga Mançester Junajtidi, dhe një këshillë e mori pikërisht nga një ish-lojtar i “Old Trafordit”. Romelu Lukaku po luan një sezon të shkëlqyer në Serinë A, me 14 gola në 22 ndeshje për Interin, duke përballuar një sfidë që iu paralajmërua e vështirë nga Kristiano Ronaldo. “Është shumë më e vështirë të shënosh gol në Itali, – i kishte thënë portugezi ,- më e vështirë se në Angli dhe në Spanjë”. “Kur këtë e thotë Ronaldo, do të thotë se është vërtet e vështirë”, – shprehet belgu.
Gjithsesi, deri tani ai ia ka dalë dhe ka marrë lavdërimet maksimale nga trajneri i tij, Antonio Konte, nga tifozët si dhe nga mediat. Kritika e vetme për gabimet në Champions, sidomos ndaj Barcelonës. Gjithsesi, një ish-sulmues i madh i së kaluarës si Bobo Vieri i del në krah. “Si nuk u lodhëm duke thënë gjithnjë të njëjtat gjëra, – u shpreh ai, – po flasim për një nga sulmuesit më të kompletuar të Europës, që di të mbajë topin, të ndihmojë shokët, të nxjerrë skuadrën në sulm, të shënojë gola. E kam kritikuar që ka gabuar në Champions, por edhe unë kam gabuar, gjithkush mund të gabojë”.
Sfidanti.al