Lukaku është “aspirina” e Kontes, por shqetësimi quhet “Eriksen”!

Më në fund Interi u kthye tek fitorja, diçka që nuk ishte shumë e lehtë sepse luhej në “Marasi” ndaj Xhenoas, por sërish “bari qetësues” për Antonio Konten e pati emrin Romelu Lukaku. Sulmuesi belg, i quajtur “gjigandi i mirë” apo edhe “diamanti i pagdhendur”, shënoi golin e parë të fitores 2-0, në vazhdim të rrjetave ndaj Milanit në derbi (1) dhe kundër Gladbahut në Champions (2). “Është përmirësuar shumë, – pohoi trajneri zikaltër, – një lojtar i ndryshëm në krahasim me një vit më parë. Gjithnjë kam folur për një diamant të ashpër, mbi të cilin duhet punuar. E kam dashur gjithnjë në ekipin tim, po punon dhe ndryshimi shihet”.

Konte nuk ka dëshirë të pyetet për Eriksenin, sidomos sepse kjo pyetje po bëhet përherë. “Nuk keni punë tjetër, – u tha ai gazetarëve, – vetëm për Eriksenin do të pyesni? Ai luajti mirë, dhe ne e dominuam ndeshjen që nga fillimi. Herë luan mirë, herë më pak, por është një lojtar shumë i mirë dhe një djalë shumë i mirë. Nëse e meriton luan, nëse të tjerët janë më mirë, luajnë ata. Rëndësi ka që gjithë ekipi luajti mirë dhe nuk pësuam asnjë gjuajtje në portë”. Interi ka 10 pikë në 5 ndeshje, jo edhe aq shumë, por gjithsesi jo larg kreut të Serisë A.

Sfidanti.al