“Loja e Ndershme” e UEFA-s duket se po “djeg” Interin

Lumturia e kualifikimit për në Champions tashmë ka kaluar. Për një klub të madh si Interi ky nuk mund të ishte një objektiv i jashtëzakonshëm, ndërsa synimet për të ardhmen duhet të jenë për më lart. Gjithsesi, tifozët duhet të jenë mërzitur duke dëgjuar fjalët e trajnerit të tyre, Luçiano Spaleti, në konferencën e fundit për shtyp. Njeriu i stolit nuk dha asnjë garanci për edicionin tjetër.

“Nuk mund të them se Ikardi do të qendrojë patjetër, – u shpreh Spaleti, – kjo, për vetë peshën e personazhit. Gjithçka varet nga lojtari, ndonëse unë nuk po them se ai do të largohet. Varet nga shumë gjëra, ashtu siç varet nga shumë gjëra edhe rinovimi im”.

Jo vetëm kaq, por Spaleti thotë se dy prej lojtarëve të rëndësishëm të këtij sezoni, Kanselo dhe Rafinja, do të jetë vështirë të mbahen më tej. “Nuk mund t’i blejmë kartonët e tyre, – qartëson trajneri interist, – ka rregulla të UEFA-s dhe marrëveshje të nënshkruara nga pronarët paraardhës. Më vonë, nuk e di se çfarë mund të ndodhë”.

Sfidanti.al