Juventusi le të bëjë ç’të dojë, ne jemi Interi. Kështu duket sikur thotë Antonio Konte që vazhdon marshimin e tij, një sezon që zikaltërit nuk e kishin parë që nga koha e Zhoze Murinjos gati 10 vjet më parë. Presidenti Çan e shijoi në një bar milanez fitoren 3-0 në fushën e Torinos, ndërsa trajneri i tij i vuri edhe një herë “pikat mbi i“. “Jam i lumtur për fitoren, por sidomos që nuk pësuam gol, – tha Konte, – kjo tregon se jemi të fortë edhe në mbrojtje, se përsa i përket golave i kemi shënuar edhe më parë. Jam i lumtur për Borha Valeron dhe Dimarkon, lojtarë që nuk luajnë shumë dhe që e kanë të vështirë, por që japin maksimumin në fushë”.
Fitorja e Interit u arrit me golat e shënuar nga Lautaro Martinez, De Vraj dhe Romelu Lukaku, ndërsa pyetjet për Konten janë edhe për dy lojtarë të huazuar nga zikaltërit, Ikardin e Gabigolin, që shënuan gola të rëndësishëm në Ligën franceze dhe në Kupën Libertadores. “Lautaro dhe Lukaku janë e ardhmja e Interi, – tha trajneri, – ndërsa Ikardi e Gabigol mund të na sjellin të ardhura të rëndësishme”. Bepe Marota do të kërkojë 70 milionë euro për kartonin e argjentinasit të PSG-së dhe 35-40 milionë për brazilianin e Flamengos.
Sfidanti.al