Largimi i De Rosit; tifozët e Romës shpalosin parrullë kundër Palotës

Lamtumira e Daniele De Rosit nga Roma vazhdon të jetë temë e ditës në kryeqytetin italian, jo aq në aspektin tekniko-taktik, sa në aspektin simbolik. Tifozët ultra të skuadrës verdhekuqe në fakt nuk e kanë kapërdirë aspak trajtimin e drejtuesve të klubit në drejtim të ‘Capitan Futuro’ gjatë këtij sezoni kështu që vendosën të manifestonin pakënaqësinë e tyre.

Kështu, grupimi ‘Gruppo Roma’ shpalosi disa parrulla në rrugët e qytetit kundër presidentit të skuadrës verdhekuqe, Xhejms Palota dhe në favor të futbollistit, parrulla që ishin të forta dhe që konfirmojnë problemet në raportet mes tifozerisë romane dhe pronarëve të klubit.

‘Bij të Romës, kapitenë dhe flamuj. Ja respekti dhe dashuria që kjo shoqëri nuk do ta ketë kurrë-theksohet në një prej parrullave të shpalosura. ‘Palota derr! Daniele De Rosi, përgjithmonë në zemrën e njerëzve-shkruhej në një tjetër parrullë që u shfaq në Testaccio.

Por tifozët nuk e lanë me kaq. Pranë banesës së vetë futbollistit u shfaq një parrullë ku shkruhej: ‘Daniele De Rosi, mburrja jonë!’, ndërkohë që në selinë e klubit të Romës u shfaqën flamujt amerikanë me kokëposhtë. Me pak fjalë janë këto mesazhe të qarta dhe të forta që tifozët i dhanë drejtuesve të Romës pas cështjes De Rosi.

sfidanti.al