Tifozët e Milanit i organizuan një koreografi spektakolare presidentit të tyre, Silvio Berluskoni, gjatë ndeshjes derbi me Interin, pas së cilës ai, i prekur nga ky gjest, i falënderoi ata. Berluskoni, për të cilin kjo ndeshje, me siguri, që ishte derbi i fundit i Madoninës, duke qenë së, muajin tjetër, pritet që ky klub milanez të kalojë në duart e disa investitorëve kinezë, publikoi një letër falënderimi në sajtin e kuqezinjve.
“Ju falënderoj, ju falënderoj, ju falënderoj. Jam i befasuar, ishte diçka e mrekullueshme, eksituese. Të vish në “San Siro” në një ndeshje të tillë të rëndësishme derbi dhe të jesh i rrethuar nga kaq shumë tifozë të “kuqezinjve” që më duartrokitën dhe më falënderuan, është diçka mahnitëse, por, para së gjithash, më bëri përshtypje koreografia e realizuar nga sektori jugor. Edhe një herë tjetër, ju falëndëroj, ju falënderoj, ju falenderoj”, vuri në dukje Berluskoni në sajtin e mësipërm.