Futbolli dhe dhuna ndonjëherë janë një binom i pandashëm. I tillë ishte edhe në Sevilje, ku një grup tifozësh të Juventusit u sulmuan nga huliganë vendas. Sipas mediave, ishin rreth 40 tifozë të Seviljes, anëtarë të grupimit të tifozëve “Biris Norte”, të cilët afër mesnatës sulmuan një pab të quajtur “Taverna El Papelon”, ku ishin duke darkuar disa mbështetës të Juventusit.
Ajo që ndodhi ishte një fatkeqësi e vërtetë, me shumë të plagosur, kuptohet më shumë italianë, të cilët nuk e prisnin goditjen. Një juventin është në gjendje të rëndë në spital, i operuar në kraharor, këmbë dhe krahë, në terapi intensive. Zyrtarisht ka edhe dy të tjerë të plagosur, ndërsa një spanjoll dhe një italian janë gjetur të braktisur larg klubit të natës.
Tifozët spanjollë ishin të armatosur “deri në dhëmbë” me thika dhe zinxhirë, diçka normale për njerëz të tillë, ndërsa futbolli dështoi edhe një herë në misionin e tij.