Stefën Kërri shënoi një kosh të rrallë në ndeshjet e fundit të basketbollit, amerikan, por gjyqtarët e anuluan sepse ndërkaq kishte rënë sirena për përfundimin e pjesës së parë. Lojtari më i mirë i NBA-së në dy sezonet e fundit, e mori topin pranë koshit të tij dhe gjuajti pasi bëri vetëm disa hapa, veçse kjo i kushtoi.
Vonesa ishte prej vetëm 1 sekondi, përndryshe koshi i Kërrit do të ishte vlerësuar si një nga më të rrallët e historisë. Basketbollisti i shquar ka shënuar edhe më parë kosha nga largësi të mëdha, dhe cilësohet si më i miri në këtë lloj gjuajtjeje.
Pavarësisht se tri pikët e tij nuk u quajtën, sërish kjo nuk i prishi punë skuadrës së tij. Golden Stejti dominoi në fushën e Indianës, duke fituar thellësisht 120-83, ndonëse asnjëri nga yjet e tij nuk shkëlqeu veçanërisht. Tompson ishte më i miri me 25 pikë, dhe Kërri shtoi 22 të tjera.