U quajt një “fikje dritash” dhe ishte vërtet alarm. Interi fitoi 4-3 në fushën e Sasuolos, por duke rrezikuar fitoren që u duk se e kishte në dorën e bërë grusht, ndaj edhe trajneri Antonio Konte, nuk mundi të ishte i qetë. Edhe pse i sëmurë me grip, aq sa mezi qendroi gjatë ndeshjes së Serisë A dhe nuk doli në konferencë pas saj, trajneri zikaltër mblodhi forcat dhe nisi një seancë sqaruese me lojtarët e tij.
Mëngjesin e së hënës, ai vendosi videon e ndeshjes në aparaturë, dhe rreshtoi lojtarët përpara ekranit për të ndjekur edhe një herë “proçkën” që bënë, dhe për të mos e përsëritur. Pas humbjes me Juventusin në “San Siro”, që edhe mund të pranohet, ishte hera e parë që Interi pati një rënie të tillë përqëndrimi. “Kjo nuk duhet të ndodhë më, – u shpreh Konte, duke u kujtuar yjeve të tij edhe ndeshjen e dobët në Champions ndaj Spartës së Pragës, – vjen Championsi dhe ndaj Dortmundit do të duhet të jemi në maksimumin e formës, ndryshe nuk ia dalim”.
Sfidanti.al