Dy kampionë të mëdhenj kanë një “biznes të papërfunduar”, apo një “llogari të pambyllur”. Këta janë legjendari Genadi Golovkin dhe kampioni aktual i peshave të mesme në boksin profesionist, Kanelo Alvarez. Kazaku dhe meksikani duket se do të kenë duelin e tretë mes tyre, vitin e ardhshëm, në atë që po e quajnë “triologjia”. E pohon shefi i platformës televizive, DAZN, Xho Markovski.
Golovkin, i mbiquajtur “GGG” dhe Alvarez patën dy ndeshje, në 2017 dhe 2018. Në të parën, dueli përfundoi në barazim sipas gjyqtarëve, por analistët dhe ish-kampionët e boksit theksuan se Golovkin meritonte të fitonte, ndërsa në 2018, suksesi iu dha Alvarezit, e sërish pati polemika. Dyshimet janë të mëdha se gjyqtarët janë të ndikuar nga fakti se boksieri meksikan ka një bazë më të madhe tifozësh, meqë është nga Meksika, dhe sepse në SHBA ka shumë meksikanë. Gjithsesi, Alvarez duket se do të ketë më parë një duel, një peshë më poshtë, ndaj një kampioni të shquar si Sergej Kovalev.
Sfidanti.al