Disfata ndaj Fiorentinës në “San Siro” ishte një katastrofë në të gjithë kuptimin e kësaj fjale. Mund të mos jetë fundi për një Milan me emër të madh, por potencial të vogël, por është padyshim një zbritje, qoftë edhe e përkohëshme, në “ferr”. Shifrat 1-3 ishin diçka dhe paraqitja pa emër e pa ngjyrë ishte gjëja më e rëndë, aq sa trajneri që rrezikon shumë, Marko Xhampaolo, u detyrua të thoshte i hidhëruar: “Më shumë më mërziti fakti se futbollistët luajtën sikur të mos ishin stërvitur kurrë së bashku”.
Paolo Maldini, drejtuesi i lartë kuqezi, pohoi se “e dinim që me një ekip kaq të ri do të rrezikonim shumë”! Përse vallë, Milani pranoi të rrezikonte kaq shumë, për shkak projekti apo sepse nuk kishte para për t’u forcuar? Të dyja bashkë, por tashmë në dyshim është vënë jo vetëm Xhampaolo, por edhe drejtuesit si Maldini e Boban. Pak ditë më parë, ish-presidenti Silvio Berluskoni i quajti “drejtues të vegjël”.
Milani është në vendin e 16-të në Serinë A, me vetëm 6 pikë në 6 ndeshje dhe me 4 humbje, nisja më e keqe e kampionatit në 80 vjet. Mbi 77 për qind e tifozëve votuan për shkarkimin e trajnerit, në sondazhin e bërë nga “La Gazeta delo Sport”, ndërsa Xhampaolo thekson se “marr përgjegjësitë që më takojnë, por nuk dorëzohem sepse besoj në idetë e mia”. Nuk dihet nëse do të ketë kohën e duhur për t’i shtjelluar, si dhe nuk dihet nëse Milani do të ngrejë kokë, me këtë trajner apo me një tjetër.
Sfidanti.al