Strategjia e klubit ka ndryshuar dhe e detyron edhe vetë epoka. Jetojnë në kohë krize për shkak të koronavirusit, dhe nuk dihet ende se çdo të ndodhë në vjeshtë e dimër, ndaj klubet e futbollit janë bërë të kujdesshëm. Juventusi nuk është përjashtim dhe mediat italiane shkruajnë se “Zonja e Vjetër” nuk do të ketë më “injeksione” të mëdha nga aksionerët, dhe as shpenzime të mëdha për yje. Do të nxiten të rinj që i përshtaten projektit teknik.
Gjithsesi, pikëpyetjet janë për Kristiano Ronaldon dhe Paulo Dibalën, dy lojtarët më ikonikë të ekipit. Besohet se Ronaldo dëshiron të rrijë edhe 2 vjet, por portugezi nuk i heq sytë nga Paris SG. Ai pret dy zhvillime, së pari që Kilian Mbape të largohet, dhe së dyti që Lionel Mesi të qendrojë tek Barcelona. Kjo do t’ia hapte rrugën drejt Francës. Përsa i përket Dibalës, besohet se ai mund të rinovojë, por varet se si do të jetë akordi për rrogën.
Sfidanti.al