Juventusi, ëndrra të mëdha me Kristiano Ronaldon në 2019

Faza e parë e sezonit, nëse do të shohim shifrat dhe komentet, ka qenë e shkëlqyer për Kristiano Ronaldon. Juventusi ka bërë një blerje të madhe, një lojtar që i dha shumë jo vetëm në aspektin e biznesit, por edhe në fushën e lojës, përtej 33 viteve të moshës. Portugezi luajti në 19 ndeshje të fazës së parë të Serisë A, nga 19 të mundshme, dhe 18 herë titullar.

“La Gazeta delo Sport” shkruan se kjo nuk pritej, duke marrë parasysh moshën, por kartoni i kuq në Champions dhe largimi nga kombëtarja këta muaj, e ndihmuan Alegrin që ta aktivizonte më shumë. Në renditjen e “Futbollit të Fantazisë” (fantacalcio), të gazetës më të njohur sportive në Itali, ai është në vend të parë me notën 9.21.

CR7-ta shënoi 14 gola dhe shërbeu 4 asistë në kampionat, një shifër mjaft e mirë. “La Gazeta” thekson faktin e njohur se Ronaldo zakonisht luan më mirë në fazën e dytë, pra nuk do të ishte çudi që të arrinte apo të kalonte kuotën e 30 golave në Serinë A, në sezonin e tij të parë. Gjithsesi, Juventusi nuk e ka problem të fitojë titullin apo të vendosë rekorde në Itali. “Zonja e Vjetër” synon Championsin, dhe shpreson që Kristiano ta ndihmojë për ta fituar.

Sfidanti.al