Nëse kishte ende ndonjë dyshim, tani nuk besohet se ndodh. Menjëherë pas fitores së parë të sezonit në Serinë A, Interi rreshtoi edhe të dytën, 3-1 në Veronë, duke paralajmëruar rivalët se nuk do ta lëshojë lehtë titullin e fituar vjet. Konte, Lukaku e Hakimi le të jenë e kaluara, ndërsa e gjithë Italia po mrekullohet nga skuadra e re e trajnerit Simone Inzagi, dhe nga ylli i saj i ri. Vlerësimet ishin të mëdha për Hoakin Korrean, argjentinasin 27-vjeçar që e festoi në mënyrë të mrekullueshme debutimin me fanelën zikaltër duke shënuar dy gola.
Po ashtu, u theksua karakteri i milanezëve që u ndodhën nën një gol, por arritën të realizonin përmbysjen, edhe pse me vështirës. “La Gazeta delo Sport” bën lojë fjalësh me titullin që do të thotë “Interi vrapon”, por edhe “Inter Korrea”! “Tuku hyn dhe shënon dygolësh duke përmbysur rezultatin”. “Lautaro-Korrea në gol, përmbysje e madhe e Interit”, – titullon “Il Korriere delo Sport”, – menjëherë një dygolësh i blerjes së re!”
“Ndeshjen e nisëm siç duhet, – u shpreh trajneri Inzagi, – por pastaj pësuam gol dhe ishte më e vështirë. E vërteta është që në pjesën e dytë duhej të kishim qenë më mirë, sidomos në 25 minutat e fundit, por duhe t’i japim meritën kundërshtarit që luajti shumë mirë. Duhet të përgëzoj gjithë skuadrën, po ashtu Korrean, Lautaron. Për Korrean ishte një mbrëmje e mrekullueshme me 2 gola në debutim”.
Inzagi luajti me skemën 3-5-1-1, duke iu afruar asaj të Kontes, me Lautaro Martinezin që luajti si sulmues i dytë pas Xhekos. U la në stol Dëmfris, ndërsa Korrea, Sensi e Vidal u aktivizuan gjatë ndeshjes. Interi ka 6 pikë në 2 ndeshje dhe po tregon se tranzicioni nga sezoni i kaluar mund të jetë i lehtë.
Sfidanti.al