Nuk është se fitorja e së shtunës ishte e jashtëzakonshme. Peskara, skuadra e radhës e mundur nga Interi, është kandidatja më “serioze” për të rënë në Serinë B, por ka diçka tjetër që bind tek zikaltërit. Nën drejtimin e trajnerit Pioli ata kanë më shumë lojë, më shumë mendim, dhe më shumë vazhdimësi. Nëntë fitore radhazi në sezon, nga të cilat 7 në Serinë A, janë një provë e pakundërshtueshme e transformimit të një skuadre që nuk njihte as veten disa muaj më parë.
Kapiteni Mauro Ikardi këtë herë nuk shënoi gola, por ishte i pranishëm thuajse në të gjitha aksionet, një pjekuri e madhe për argjentinasin që mori shumë kritika në pjesën e parë të sezonit. Pioli ka edhe një lojtar tjetër që po bën ndryshimin, Zhoao Marion. i talentuar, vrapues dhe lojtar që ndihmon shumë mbrojtjen. Portugezi cilësohet si “lojtari i duhur me numrin 10”. Suksesi i Interit nuk është vetëm çështje e disa emrave. Me Piolin, skuadra ka një formë të shkëlqyer fizike, por edhe mentalitet, dhe këto e lejojnë të sulmojë e të mbrojë në bllok.
Në mesjavë do të jetë prova çerekfinale e Kupës së Italisë ndaj Lacios, ndërsa në fundjavën e ardhshme do të jetë vizita në stadiumin “Juventus” të Torinos, shtëpia e skuadrës kampione dhe kryesuese, por që interistët e mundën në fazën e parë.