Interi, i çmendur edhe kur pëson, goli më i vonshëm në Serinë A

Të paktën kjo vlen që nga sezoni 2004-2005, kur kanë nisur të mbahen statistikat nga agjencia e specializuar Opta. Bëhet fjalë për golin më të vonshëm të shënuar në Serinë A, pra në ndeshje që luhen me dy pjesë, dhe pa kohë shtesë. Rekordin e vendosi rrjeta e shënuar nga Fiorentina, pra e pësuar nga Interi, në ndeshjen e luajtur në “Artemio Franki” të Firences.

U dha penallti në minutën e 96-të, por u deshën 5 minuta që të merrej përgjigja e VAR-it dhe po ashtu të shuheshin protestat e zikaltërve. Gjuajtjen nga 11 metra e ekzekutoi Zhordan Veretut, që barazoi shifrat në 3-3. Interi, pra është “i çmendur” edhe për mënyrën sesi pëson golat.

Sfida ishte vërtet me shumë emocione, me vendasit që kaluan në epërsi që në minutën e parë. Goli iu dha fillimisht Zhovani Simeones, por pastaj u quajt autogol i De Vrajit. Milanezët reaguan me golat e Vesinos në 6’, Politanos në 40’ dhe Perishiçit në 52’ me penallti. Ndeshja nuk u mbyll, pasi Muriel shkurtoi shifrat nga goditja e dënimit në 74’, dhe u desh të vinte minuta e 101-të për barazimin. Interi ka tani 47 pikë, vetëm 2 më shumë se Milani i vendit të katërt.

Sfidanti.al