Inter-Juve? Lukaku është gati, por CR7-ta ul Dibalën në stol!

U kursye në “Kamp Nou” dhe mungesa e tij u ndie, aq sa gazetat italiane thanë se zikaltërve u duhet një klonim. Romelu Lukaku, gjithsesi, qetëson Interin pasi raportohet si i gatshëm për të luajtur në Derbin e Italisë ndaj Juventusit. Një nga “gurët e themelit” të skuadrës së re të Antonio Kontes, do të jetë i shlodhur dhe besohet pa shqetësime dëmtimi. Me gjasë, ulet në stol Aleksis Sançez, por ndoshta Lautaro Martinez, dhe trajneri duhet të shikojë se cili është më i lodhur, dhe cili mund t’i bëjë më shumë punë ndaj kampionëve.

Tek Juventusi, besohet se Paulo Dibala sërish mund të ulet në stol, të paktën në fillim. Paraqitjet e mira nuk po mjaftojnë pasi Mauricio Sarri po mbështetet më shumë tek Kristiano Ronaldo dhe Gonzalo Higuain. Gjërat u kuptuan që kur në Torino erdhi ish-trajneri i Napolit, që gjithnjë ka vlerësuar Higuainin, me argjentinasin që po ia shpërblen besimin. Kuptohet që CR7-ta është i paprekshëm për çdo lloj arsyeje të mundshme, ndaj Dibala do ta ketë keq. Me gjasë, Sarri dhe klubi nuk ia kanë harruar qendrimin refuzues gjatë verës, duke mos u larguar nga Torino, e duke mos i dhënë mundësi Juves të merrte Lukakun ose Ikardin.

Sfidanti.al