Imobile, “njeriu i palëvizshëm” që theu rekordin italian në Serinë A!

Për Këpucën e Artë në Itali dhe në Europë duhet të presë ende, por disa gjëra të mëdha është duke i realizuar. Çiro Imobile është njeri që i qendron besnik emrit që ka, Çiro, me të cilin italianët quajnë ish-perandorin persian, Kirin e Madh, dhe nuk i përngjan aspak mbiemrit, i cili në italisht do të thotë “i palëvizshëm”. Imobile i Lacios është më shumë i lëvizshëm sesa të gjithë italianët e tjerë të futbollit, dhe jo vetëm se këta të sotmit, por edhe sesa ata të së kaluarës. Me 3 golat shënuar në portën e Veronës, në fitoren 5-1 të Lacios, sulmuesi arriti në kuotën e 34 rrjetave në këtë kampionat, duke barazuar Robert Levandovskin e Bajernit, në garën për Këpucën e Artë të Europës. Po ashtu, ai kaloi Anxhelilon e Interit, që kishte shënuar 33 rrjeta në 1958-1959, duke u bërë italiani me më shumë gola në një kampionat të vetëm të Serisë A. Jo vetëm kaq, por Anxhelilo ishte nga “oriundët”, pra i lindur në Argjentinë dhe pastaj i natyralizuar si italian. Imobile nuk pati nevojë “t’i binte nga Argjentina”. Ai është vetëm 2 gola larg rekordit absolut të golave në Serinë A, që mbahet nga Gonzalo Higuain me 36, kur ishte tek Napoli.

Sfidanti.al