Fatkeqësia e Sasuolos, përse VAR-i nuk i fal skuadrat e vogla?!

Polemikat për teknologjinë kanë qenë të shumta edhe pasi ajo u vendos të përdorej në futboll, veçse një diferencë nuk është e vështirë të dallohet. Për herë të parë, në një ndeshje të vetme u anuluan 4 gola, që të katër për Sasuolon, që në fund doli e mundur 0-2 nga ndeshja me Napolin. Miqtë dhanë spektakël, por VAR-i ishte i pamëshirshëm, ndërsa Hysaj e Alan shënuan për vendasit. Pak ditë më parë, një tjetër gol iu anulua Sasuolos në ndeshjen ndaj Lacios.

Kritikat për teknologjinë nuk kanë munguar, madje kanë qenë të mprehta, ndërsa theksi është vendosur tek fakti se janë sërish njerëzit që venë në përdorim VAR-in. Në rastin e Sasuolos, këta njerëz nuk ngurruan asnjëherë, ndërsa në shumë ndeshje të tjera, sidomos në ato ku kanë luajtur skuadrat e mëdha, nuk kanë ndërhyrë gjithnjë. Këtë gjë tha edhe trajneri i Sasuolos, Roberto De Zerbi, i cili nuk deshi të bënte polemika për golat ndaj Napolit, por për VAR-in në përgjithësi.

“Për mendimin tim futbolli është përmirësuar me anë të VAR-it, – tha ai, – kjo, pavarësisht se na anuloi katër gola, dhe nëse nuk do të kishte VAR, do ta kishim fituar ndeshjen. Jam i zemëruar sepse prej 2 vjetësh duhet që teknologjia të ishte e barabartë për të gjithë, por herë ka ndërhyrë, herë jo”.

Sfidanti.al