Ikardi është sulmuesi më efikas i Europës, edhe mbi “Pleshtin”

Mjaftoi një ndeshje e madhe që gjithçka të ndryshonte për Interin dhe për Mauro Ikardin. Zikaltërit jepen favoritë për të shkuar në Champions, bashkë me Romën, Napolin e Juven, ndërsa kapiteni vlerësohet si një nga sulmuesit më “vdekësorë” të Europës. Statistikat thonë se argjentinasi është shumë efikas kur vjen puna tek realizimi i golave, duke pasur një mesatare tepër të lartë në raport me gjuajtjet në portë, dhe me prekjet e topit në ndeshje.

Ai është i pari për saktësinë në gjuajtje, me 67.7 për qind ndaj 65 të Grizmait dhe 63 për qind të Mesit. Po ashtu është ndër 3 të parët në të 5 ligat e mëdha europiane për raportin gjuajtje në portë/gol, duke e pasur në shifrat 1.9 gjuajtje në portë për çdo gol. Ikardi realizon 35.5 për qind të gjuajtjeve, ndërsa lë prapa Kavanin për numrin e golave në raport me prekjen e topit në një ndeshje.

Me këto shifra, besimi i kapitenit dhe i shokëve të tij është rritur. “La Gazeta delo Sport” thekson se “Interi ka besim tek Championsi për shkak të Ikardit dhe të kalendarit të favorshëm”.

Sfidanti.al