Harrohet loja, vlen rezultati dhe mediat italiane kritikojnë Juventusin!

Në futboll vlen rezultati dhe kështu ndodh edhe kur luan mirë, por nuk ia del të fitosh. Mediat italiane nuk harruan ta theksonin këtë në jehonën për ndeshjen kryesore të javës në Serinë A, Juventus-Milan, që përfundoi 1-1. “Milani mbetet lart, Juve sa poshtë ke rënë, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Morata shënon menjëherë, por Rebiç hesht “Aliancin”! Milani përballon mungesat, Juvja pa mbrojtje!” “Juventusi në pus, – komenton “Il Korriere delo Sport”, – Bardhezinjtë të parafundit, ende pa fitore! Ky Milan ka identitet!”

Trajneri juventin mund të jetë i kënaqur të paktën për paraqitjen e ekipit. “Kemi bërë hapa përpara dhe kemi dominuar ndaj një kundërshtari shumë të fortë, – tha ai, – nuk mund të presësh të dominosh 90 minuta ndaj Milanit, por goli i pësuar ishte i palejueshëm. Titujt nuk fitohen kështu. Duhet të pranoj se edhe unë gabova me zëvendësimet”.

Milanistët ishin edhe shumë më të lodhur duke pasur parasysh sfidën e tmerrshme në Liverpul. “Ne jemi skuadër e madhe, – tha trajneri Pioli, – paraqitja e sotme duhet të na japë edhe më shumë besim. Juvja e nisi më mirë, dhe ne duhet të mos bëjmë gabime të tilla, që janë të rënda në nivele të larta. Gjithsesi, ne luajtëm deri në fund ndaj një rivali të fortë. E deshëm fitoren deri në fund”.

Sfidanti.al