Sezonin e ardhshëm, ku i dihet, mund të jetë në ndonjë skuadër të madhe (tifozët luten vetëm që të mos jetë Juventusi). Andrea Beloti vazhdon periudhën e tij të lumtur të sezonit, me dy gola të tjerë në Serinë A. Torino fitoi 2-0 në fushën e Krotones falë qendërsulmuesit të saj kryesor, që është edhe qendërsulmuesi kryesor i Italisë. Gjithsesi, suksesi që e afron Torinon me zonën e Europës, nuk ishte aq i thjeshtë, dhe u arrit vetëm në minutat e fundit, pasi Beloti realizoi në 80’ dhe 88’.
Trajneri i “granatave”, Sinisha Mihajloviç, tregoi se ishte nervozuar në pushim të ndeshjes me lojtarin e tij më të mirë. “Është fat për trajnerin të ketë lojtarë të tillë, – tha ai, – por, në pjesën e parë nuk luajtëm mirë. U nervozova me Belotin dhe i fola se duhej të mos ishte mendjemadh, ndryshe kthehej në një lojtar të zakonshëm. Në pjesën e dytë luajti ndryshe dhe erdhën golat”.
Torino është në vendin e 7-të në Serinë A me 22 pikë, por vetëm 4 pikë larg vendit të dytë, ndaj edhe Mihajloviç mund të shpresojë edhe për Championsin. “Skuadrat e mia luajnë gjithnjë për të fituar, jo për të mos humbur, por nuk mund të fitohen të gjitha ndeshjet 5-0 dhe duke dominuar”, – thotë ai. Beloti ndërkaq ka mbërritur në krye të renditjes së shënuesve me 10 gola, po aq sa Xheko dhe Ikardi.