Ashtu sikurse qëndrojnë tani punët, ka shumë mundësi që Roma do të arrijë të sigurojë shërbimet e sulmuesit anësor të talentuar 19-vjeçar të Ajaksit të Amsterdamit, Xhastin Klajvert, të cilin e kanë në“radarët” e tyre edhe disa klube të tjerë të mëdhenj të Evropës. Në konkurrim me Romën për këtë tinejxher të shkëlqyer është edhe Interi, por duket se “ujkonja” romane e ka fituar atë.
“Gazzetta dello Sport”, më saktë, gazetari i saj i mirinformuar, Fabricio Romano, vë në dukje se transferimi në fjalë i lojtarit të mësipërm te Roma, tanimë, ka përfunduar. Drejtori sportiv i Romës, Monçi, dhe agjenti Mino Raiola që përfaqëson Klajvertin e ri, i kanë përcaktuar të gjithë detajet lidhur me marrëveshjen pesëvjeçare të holandezit të ri, thotë gazetari Romano, që shton se Ajaksi ka kërkuar 35 milionë euro për Xhastin Klajvertin, por se Roma nuk do që të paguajë aq shume dhe, në fakt, ajo ka të drejtë për dy arsye: së pari, vetë Klajverti do që të shkojë te Roma dhe, së dyti, kontrata e tij me Ajaksin skadon mbas një viti.
Pritet që, ditët e ardhshmë, Ajaksi dhe Roma ta gjejnë gjuhën e përbashkët dhe Klajverti i ri, i biri i Klajvertit të madh dikur të famshëm, Patrik, do të përfundojë në krahët e “ujkonjës”, pasi kjo e fundit të paguajë për të 20 milionë euro.