Kontrata me Adidasin ishte jo vetëm një plus i madh për Juventusin, por edhe një ngjitje tepër lart në renditjen e klubeve më të fuqishëm të Europës. Kampionët e Italisë do të përfitojnë sezonin e ardhshëm 51 milionë euro nga kompania gjermane e veshjeve sportive, kjo pas një kontrate deri në vitin 2027, që parashikon përfitim minimal prej 408 milionë eurosh në total. Ky është efekti “Kristiano Ronaldo”, diçka që e ndihmon skuadrën torineze që të shlyejë dhe të dalë me fitim, me blerjen 100-milionëshe. Mjafton të dish se deri këtë sezon, klubi piemontez fitonte 23 milionë euro në sezon (më pak se gjysma e shifrës së re).
Sipas “La Gazeta delo Sportit”, kjo kontratë e vendos Juven në vend të tretë në klasifikimin europian të akordeve të tilla. Barcelona ka marrëveshje të jashtëzakonshëm prej 105 milionë eurosh nga Najku (Nike), dhe Mançester Junajtid arrin në 85 milionë nga Adidasi. Reali i Madridit vërtet fiton 52 milionë euro në sezon, por mes tyre ka disa përfitime jashtë kontratës bazë, përfitime që Juves do t’i japin më shumë se 51 milionë euro në sezon. Po kështu, edhe Bajerni vërtet fiton 60 milionë euro në sezon nga Adidasi, por kompania gjermane është jo vetëm sponsor, por edhe aksionere, pra një pjesë e parave i kalojnë sërish asaj.
Sfidanti.al