E ka thënë Arrigo Saki, Napoli “përkthehet” Osimheni!

Nuk ka shënuar ende aq shumë gola, vetëm 11 këtë sezon në Serinë A, por gjithsesi është sulmuesi modern që e duan të gjithë. Viktor Osimhen është “arma” e Napolit në garën për titullin kampion, “armë” që i jep shpresë edhe pas humbjes me Milanin në “Maradona”. Futbollisti nga Nigeria shënoi 2 golat e fitores së vështirë 2-1 ndaj Udinezes në kampionat, fitore që e mban ekipin e trajnerit Spaleti në pozita të mira për të fituar titullin e parë që nga epoka e Maradonës. Një sulmues 23-vjeçar, 1.86 metra shtatlartë, tepër i shpejtë, i fortë fizikisht, dhe i zoti me topin në ajër e në tokë. Jo më kot Mançester Junajtidi mendon se Osimheni mund të zëvendësojë fare mirë Kristiano Ronaldon, ndërsa kartoni i tij mund të arrijë në 80-100 milionë euro. Jo më kot edhe Arrigo Saki tha pak ditë më pak se “Napoli është Osimheni dhe diçka më shumë”.

Sfidanti.al