De Laurentis sulmon Higuainin dhe Juven: Duhej të thoshin “JO”!

Largimi i Gonzalo Higuainit nga Napoli për tek Juventusi është diçka që nuk është harruar nga tifozët partenopeas, por as nga presidenti i klubit, De Laurentis. Numri 1 napolitan gjeti rast në një aktivitet për t’iu kthyer kësaj teme, natyrisht pasi u pyet për këtë. Përse lejoi që shënuesi më i mirë i Serisë A, me 36 gola, të përforconte rivalen kryesore për titull?

“Unë kisha vendosur një klauzolë transferimi (90 milionë euro), – tha presidenti, – për të mos lejuar që Higuain të largohej. Kush mund ta dinte se do të vinte një i çmendur (Juventusi) për ta paguar këtë shifër? Unë nuk mund të thoja jo, pasi e tillë është situata kur vendos klauzolën në kontratë. Duhej që Juventusi të mos e bënte diçka të tillë, nuk u tregua i ndershëm, ndonëse tashmë nuk ka asgjë që të më habisë”.

Disa fjalë edhe për Gonzalon. “Zgjedhja për të shkuar tek Juventusi u bë prej tij, pasi mund të thoshte “jo”, – u shpreh De Laurentis, – shikoni ku kanë shkuar shokët e tij, Kavani dhe Laveci (Paris SG). Zgjedhja e Higuainit nuk ishte ajo e duhura, ishte pa klas”. Presidenti nuk u mjaftua me kaq, por u shpreh se sulmuesi kishte probleme edhe me shokët tek Napoli. “Thoshte se ata nuk ishin të zotë sa duhet, ndonëse mua nuk më duket kështu, – tha ai, – sidomos nuk i pëlqeu që Kajehon rinovoi kontratën, diçka që nuk e kuptova kurrë”.

Sfidanti.al