Media sportive italiane njofton se disa drejtues të Milanit do të shkojnë, javën e ardhshme, në Dortmund, te Borusia, ku do të bëjnë një ofertë prej 60 milionë eurosh për futbollistin Pjer Emerih Obamejang. “Rosonerët”, deri tani, kanë shpenzuar 100 milionë euro për shtatë përforcime të reja, por Milani synon që të vazhdojë më tej. Klubi i San Siros ka si synim që të bëjë një transferim-bombë dhe të kthejë në radhët e veta Obamejangun.
Thuhet se, fillimisht, është realizuar një kontakt me të atin e këtij futbollisti që ka kërkuar një pagë prej 12 milionë eurosh për sezon, por Milani është gati që të shkojë deri te shifra 8 milionë euro. Por, ky nuk është i vetmi problem, pasi Borusia e Dortmundit kërkon 80 milionë euro për këtë sulmues. Drejtori ekzekutiv i përgjithshëm i Milanit, Marko Fasone, dhe drejtori sportiv i këtij klubi, Masimo Mirabeli, javën e ardhshme do të shkojnë në Dortmund dhe do t’i ofrojnë klubit të “milionerëve” një ofertë prej 60 milionë eurosh.
Sfidanti.al