Mauricio Sarri po shkon, dhe pse me zor të madh, drejt titullit të parë kampion në karrierë, por edhe ai, ithtari i futbollit sulmues dhe kombinativ, nuk e ka të lehtë të ndryshojë gjenetikën e një Juventusi pragmatik. Të tillë ishin komentet mediatike pas kryendeshjes së Torinos. “La Gazeta delo Sport” bën lojë fjalësh, duke shkruar “skudoto Juve”, që do të thotë edhe “titull për Juven”, por edhe një kombim “titulli i 8-të për Juven”. “DEA mahnit, CR7 me dy penallti shpëton bardhezinjtë!” Komenti është “bukuria e madhe, dhe realizmi i përhershëm”.
“Il Korriere delo Sport”: Duart tek titulli! Atalanta dominon, Juve shpëton me dy penallti të CR7-ës! Komenti i të përditshmes titullohet “Gaspizmo”, pra stili i Gasperinit, si një lloj përgjigjeje për fjalën e njohur “sarrizmo”, për stilin e Sarrit.
“Më pëleu reagimi i skuadrës, – u shpreh Sarri, – tregoi se fizikisht është mirë, dhe se ndaj Milanit patëm problem psikologjik dhe jo fizik. Barazimi peshon një pikë, aq sa morëm, ndërsa për titullin na duhen 11 pikë në 6 ndeshje. Ishte një ndeshje shumë e vështirë ndaj një rivali shumë të organizuar, që është problem për të gjithë. A jam i qetë? Proverbi fiorentin thotë se “të qetët përfundojnë keq”, pra duhet të jemi të kujdesshëm e të përqëndruar”.
Trajneri bergamask, Gasperini, pati keqardhje që Atalanta nuk arriti fitoren e parë në fushën e Juves në 31 vjet. “Bëmë një paraqitje të madhe ndaj skuadrës më të fortë të Italisë, – tha ai, – ishte shumë e mirë, edhe në optikën e Championsit. Treshja Zapata-Gomez-Iliçiç mund të jetë njëkohësisht në fushë, ndërsa më vjen keq vetëm për rezultatin. Jam i keqardhur për penalltitë, sidomos për të parën. Vërtet një penallti e pastër, e rëndësishme. Rregullorja është e tillë, të paktën në Itali. Ç’mund të bëjmë, t’i presim krahët lojtarëve?”
Sfidanti.al