“Asnjë fjalë s’të mora vesh mor bir”, Juventusi shpjegon fanelën e re!

Prezantimi e modelit të ri të bluzës për ndeshjet jashtë fushe nuk u bë në Itali. Edhe Juventusi, si çdo emër i madh i futbollit botëror është kthyer në markë globale, dhe “il bel Paese” i rri ngushtë. Fanela e veshur nga Kristiano Ronaldo me shokë në Shangai, spikati për ngjyrat e saj aspak të zakonshme, bardhë dhe kuqe, kolorë që nuk janë aspak prej Juventusi, ndërsa shpjegimi i dhënë nga klubi ishte i tillë, saqë mund t’i shtonte fare mirë batuta e teto Ollgës në “Zonja nga Qyteti”, “sa bukur flisni ju artistët, asnjë fjalë s’të mora vesh more bir”!

“(bluza ka) grafikë futuristikë (pra të së ardhmes), – ishte sqarimi, – (ka) detaje revolucionarë që bëjnë kontrast, dhe që shkojnë në një drejtim të ri dhe guximshëm”. Më tej, sqarimi vazhdon se “ngjyra bazë e bardhë e uniformës është frymëzuar nga ndërtesat qytetëse (urbane) që rrethojnë “Stadiumin Alianc”, dhe janë krijuar për brezat e rinj. Nuk dihet sesi do ta presin tifozët këtë fanelë jashtë fushe, ndërsa shumëkush është përpjekur të kuptojë shpjegimin e Juventusit, por jo gjithnjë me sukses.

Sfidanti.al