Lila, çfarë biznesi me Pepen, katër klube pranojnë të japin 80 milionë!

Europa nuk e njeh ende shumë mirë, por “skautët” e klubeve kryesorë e kanë të plotë “identikitin” e tij. Nikolas Pepe, në moshën 24-vjeçare, është një nga lojtarët më të kërkuar të futbollit kontinental, dhe klubi i tij Lila konfirmon se ka marrë oferta të pranueshme nga 4 kandidatë potencialë për transferimin. Mes atyre që janë gati të paguajnë klauzolën e transferimit prej 80 milionë eurosh janë edhe Liverpuli e Arsenali, siç thotë presidenti i Lilës, Zherar Lopez.

Presidenti e dha këtë deklaratë në intervistën për “Tutosportin” e Torinos, ndërsa e përditshmja pariziene “L’Ekip” shton se dy klubet e tjerë janë nga Italia, Napoli dhe Interi. “I takon lojtarit që të vendosë se ku do të shkojë, – ishin fjalët e Lopezit, – ne e kemi arritur qëllimin tonë”. Lila e mori Pepen nga Anzheri në 2017, kur trajneri Marselo Bielsa dalloi talentin e tij. Për lojtarin ofensiv të krahut, lindur në Francë dhe që luan për Bregun e Fildishtë, në atë kohë u paguan 10 milionë euro, ndërsa Lila po del 7-fish me fitim.

Sfidanti.al