Nënpresidenti i Juventusit, Pavel Nedved, nuk mori pjesë në konferencën speciale të shtypit, në të cilën presidenti Andrea Anjeli dhe Masimo Alegri njoftuan përfundimin e bashkëpunimit mes klubit juventin dhe trajnerit më me shumë trofe, duke i nxitur edhe më shumë spekulimet se mbas shkarkimit të Alegrit qëndronte edhe ai (Nedved).
Por, legjenda çeke e futbollit i hodhi poshtë spekulimet në fjalë, ndërsa foli edhe për pasuesin eventual të Alegrit:
“Nuk isha në konferencën e shtypit, sepse më duhej të merrja pjesë në një aktivitet tjetër, në të cilin unë duhej të merrja pjesë patjetër, kështu që më vjen keq që nuk isha i pranishëm në konferencë. Sa i përket largimit të Alegrit, nuk ka ndonjë arsye të veçantë për ndërprerjen e bashkëpunimit, po thjesht erdhi fundi i natyrshëm i një cikli. Juventusi e ka për detyrë të fitojë trofe. Maksi i solli këta trofe dhe meriton vetëm komplimente.
Sa i përket trajnerit të ri, ne nuk po nxitojmë dhe po bëjmë analiza të hollësishme. Do të jetë e vështirë që të përsërtitet një epokë kaq e suksesshme e Juventusit si kjo e viteve të fundit. Për trajnerin e ri ne ende nuk kemi realizuar ndonjë kontakt”.
Sfidanti.al