Kilian Mbape është një “çështje shtetërore” për Paris SG!

Nuk është e lehtë të luftosh me një shtet, dhe këtë e kuptojnë mirë ata që duan të marrin Kilian Mbapenë. Sulmuesi i Francës jepet si objektivi numër 1 i Realit të Madridit, dhe vetëm 20-vjeçari nuk u kursye kur tha se “unë kam arritur një udhëkryq të karrierës, ku duhet të fitojë trofe, nëse kjo ndodh me PSG-në akoma më mirë, por mund të ndodhë edhe diku tjetër”.

Paris SG reagoi shpejt, duke i kujtuar gjithë botës se Mbape është një “çështje shtetërore”. Pasi pagoi 180 milionë euro për kartonin e sulmuesit dy vjet më parë, klubi kryeqytetas theksoi se nuk kishte ndërmend të humbiste shërbimet e tij. “Prej dy vjetësh, PSG dhe Mbape kanë lidhje të forta, dhe këto lidhje do të vazhdojnë edhe sezonin e ardhshëm, – shkruhej në komunikatën e klubit, – ne duam që të fitojmë trofe së bashku”.

Presidenti Al Helaifi është gati të luftojë deri në fund, ashtu siç bëri kur pengoi largimin e Marko Verratit apo Adrien Rabiosë. “Ne duam që të shkruajmë historinë në vitin e 50-të të themelimit të klubit, – shkruanin drejtuesit, – kjo gjë do të bëhet nga të gjithë, dhe çdo lojtar i madh duhet të ketë pjesën e tij, gjithnjë duke luajtur për kolektivin”.

Sfidanti.al