Alegri në ikje? Juventusi thotë: Lërini shakatë mënjanë!

Përgjigja erdhi pas disa ditësh historish mediatike, që vetëm “të zotët e punës” dhe ata që i shkruajnë e dinë sesa të vërteta janë. Juventusi vendosi të kërkonte qetësi përpara “provimit të vështirë” të radhës, sfidës për jetë a vdekje ndaj Atletikos në Champions, dhe të sqaronte pozicionin e trajnerit.

Presidenti Andrea Anjeli dhe Masimiliano Alegri u ulën për një darkë, sapo i pari u kthye nga një udhëtim nga jashtë, në një përpjekje të qartë për të dhënë imazhin e harmonisë në klub. Mediat nuk ngurruan ta pikasnin darkën e tyre, dhe Alegri dha disa sqarime.

“Është një darkë që e bëjmë çdo vit, jo për bestytni, por sepse i duhet punës, – tha ai, – përsa i përket atyre që janë shkruar këto ditë për mua, për sherret, dorëheqjet dhe gjithçka tjetër, m’u duk sikur ndodhesha në (emisionin televiziv) “Shakatë mënjanë” (Scherzi a parte)”. Gjithsesi, darka dhe fjalët e “Maksit” nuk dhanë asnjë garanci se trajneri do të vazhdojë tek Juvja, më shumë ishin për të qenë të qetë në prag të Atletikos.

Sfidanti.al