Gjyqi nis sot dhe nuk do të përfundojë menjëherë, por pritet një dënim. Në mediat italiane flitet se prokuroria sportive federale mund të kërkojë heqje të 8 deri në 10 pikëve për Lacion nga renditja e Serisë A, për shkak të akuzave që i bëhen për çështjen e tamponëve të koronavirusit. Vitin e kaluar pati polemika të mëdha ndërsa disa lojtarë të ndaluar për të luajtur në Champions, u lejuan që të luanin në Serinë A. Më pas u bënë hetime dhe doli se kishte pasur shkelje nga ana e laboratorit të pajtuar nga klubi i kryeqytetit. Organet e drejtësisë sportive do të kërkojnë edhe 1 vit pezullim nga aktiviteti të presidentit Klaudio Lotito, ndonëse nuk dihet cili do të jetë vendimi i shkallës së parë, ndërsa do të ketë edhe apelim si dhe mund të arrihet në shkallën e tretë të Kolegjit të Garancisë pranë Komitetit Olimpik Italian. Lacio për momentin ka 49 pikë dhe synon kualifikimin për në Europë, madje edhe për në Champions, por nëse i hiqen pikët kjo bëhet e pamundur.
Sfidanti.al