Sarri vazhdon me Lazion

Pas ditësh të tensionuara në ambientin bardhekaltër, Maurizio Sarri do të qëndrojë në stolin e Lazios, duke vazhduar bashkëpunimin me klubin kryeqytetas. Kriza financiare dhe bllokimi i merkatos kishin krijuar një situatë të trazuar, aq sa trajneri toskan kishte nisur të mendohej seriozisht për dorëheqje.

Sarri ishte i zhgënjyer që nuk ishte informuar në kohë për vështirësitë e merkatos, me klubin që nuk mund të kryejë asnjë transferim të paktën deri në fund të korrikut. Takimi me presidentin Claudio Lotito dhe drejtorin Fabiani ishte vendimtar për të qetësuar situatën, megjithëse zhgënjimi mbetet i pranishëm.

Tekniku ka vendosur të mos largohet, duke e konsideruar qëndrimin te Lazio si një akt besnikërie ndaj klubit dhe tifozëve. “Jam kthyer sepse ndiej dashuri për këtë ambient,” është shprehur ai. “Nuk dua të jem një mburojë për problemet e klubit, por të fokusohem te fusha.”

Ndërkohë, Lazio është përballë një sfide financiare: për të zhbllokuar indeksin e likuiditetit nevojiten rreth 60 milionë euro, që do të kërkohen përmes një merkatoje daljeje të mençur dhe reduktimit të pagave. Investimi direkt nga Lotito duket i pamundur, pasi ai rrallë ka tejkaluar shifrën e 5 milionë eurove në 21 vite drejtim. Vera pritet e nxehtë në Formello, por për momentin ‘komandant’ Sarri qëndron në timon.

sfidanti.al