Legjenda e tij vazhdon të rritet, ndonëse shifra e golave duhet përpjesëtuar me ndeshjet e luajtura. Gjithsesi, lajmi është që Kristiano Ronaldo u ngjit në vendin e katërt në renditjen golshënuesve më të mirë të të gjitha kohëve me ekipet kombëtare në Europë. Me rrjetat e shënuara ndaj Letonisë, numri 7 ka tani 68 gola, baraz me Gerd Mylerin dhe Robi Kinin e Irlandës. Ka një dallim “të vogël” mes CR7-ës dhe Mylerit të madh, portugezi i ka shënuar 68 golat në 136 ndeshje për Portugalinë, ndërsa GM ia ka dalë për 68 në vetëm … 62 ndeshje. Kohë të tjera, kampionë të tjerë.
Gjithsesi, Ronaldo është shumë më tepër sesa një golshënues, ndaj do të mbetet në historinë e madhe të futbollit. Ai do të kërkojë të kalojë tani Mirosllav Klosen, që ka shënuar 71 gola për Gjermaninë në 137 ndeshje, ndërsa më tej janë dy hungarezë të mëdhenj. Shandor Koçish me 75 gola në 68 ndeshje dhe i madhi Ferenc Pushkash me 84 gola në 89 ndeshje. Nëse vazhdon me këtë ritëm, mund të bëhet rekordmen, veçse jo sipas parimit “gola për minuta, apo gola për ndeshje”. Në këtë renditje, Myler, Koçish e Pushkash janë të paprekshëm.
B.Kuka