Ronaldinjo e Rikelme, do të luajnë të dy tek Çapekoense?!

Çapekoense është bërë një kryefjalë e futbollit këto ditë, dhe me të drejtë, duke i zënë vendin në krye të edicioneve të lajmeve, informacionit me ngjyra “rozë”, “të kuqe” apo “të zezë”. Lajmi i radhës për Çapekoensen është që dy prej kampionëve të mëdhenj të topit mund të jenë bashkë me fanelën e saj, të paktën për këtë edicion. Emrat që përmenden janë Ronaldinjo dhe Rikelme. Këto nuk janë thashetheme. Vëllai i Ronaldinjos, Roberto De Asis, është shprehur se “ne do ta ndihmojmë Çapekoensen, nuk di të them nëse duke luajtur aty, apo në ndonjë mënyrë tjetër, por nëse na kontaktojnë do të jemi të gatshëm”. Nga Argjentina vijnë po ashtu lajme për disponibilitetin e Roman Rikelmes. Dy kampionët e mëdhenj vërtet nuk janë në moshën më të mirë, por gjithsesi klasi i tyre mbetet, dhe lajmet janë vërtet ngrohëse. Për fat, për disa ditë, nuk do të ndjekim ulërimat e disa boksierëve, tangërllëkun e disa milionerëve të sportit apo fustanet e munguara.