Ronaldinho fiton lirinë; mund të largohet nga Paraguaj dhe të kthehet në Brazil

Pas 5 muajsh izolim në Paraguaj pasi kishte hyrë në vend me pasaportë false bashkë me të vëllanë Roberto De Asis, Ronaldinho është liruar dhe tani mund të udhëtojë në cdo vend të botës , por duhet të bëjë të ditur ndryshimin e rezidencës vazhdimisht. Ky është vendimi i dhënë nga gjykatësi Gustavo Amarilla në përfundim të një séance gjyqësore që zgjati 3 orë dhe që u transmetua drejtpërdrejt në televizion.

Ronaldinho u  arrestua në 6 mars dhe që nga 7 prilli ishte në arrest shtëpie në një hotel luksoz në Asuncion. Ish futbollisti dhe vëllai i tij qëndruan 1 muaj në burg ku ai festoi edhe 40 vjetorin e tij të lindjes përpara se avokati i tij të sigurojë lirimin me kusht pasi pagoi garancinë prej 1.6 milionë Dollarësh.

Përvec kësaj, gjykatësi vendosi që Ronaldinho të paguajë edhe një gjobë prej 90 mijë Dollarësh për dëmtim të shoqërisë ndërkohë që në akordin me të dhe vëllain e tij parashikohet paraqitja në gjykatën braziliane cdo 4 muaj për 1 vit. Për më tepër ata duhet të deklarojnë një rezidencë fikse në Rio De Janeiro ku mund të lokalizohen në cdo moment. Tani me të marrë autorizimet, Ronaldinho dhe I vëllai pritet të kthehen në Brazil me një avion privat.

Sfidanti.al