Real Madrid, ofertë faraonike për Mbappe

Kylian Mbappe ka një javë kohë për të vendosur nëse do të kalojë te Real Madridi si lojtar i lirë në verë apo do të qëndrojë te PSG edhe pas shtatë vitesh, ku ka shënuar 233 gola në 282 ndeshje, por nuk ka fituar asgjë jashtë Francës. Sipas parimit “merre ose lëre”, Real Madridi përsëriti ofertën që ka qenë në tryezë që nga pranvera e vitit 2022. Ai do të transferohej në verë pa dëmshpërblim sepse kontrata e tij me PSG-në po përfundon, por Los Blancos do të paguajë një shumë të bujshme për të. Francezit i ofrohen deri në 130 milionë euro shpërblim vetëm për nënshkrimin e kontratës dhe një pagë vjetore prej 26 milionë euro neto. Sa për krahasim, Luka Modric fiton pak më shumë se 10 milionë euro neto për të njëjtën periudhë, kështu ai do të bëhej lojtari më i paguar në historinë e Real Madrid. Nëse Mbappe nuk pranon kushtet që i ofrohen, dyert e Realit do t’i mbyllen përgjithmonë.

sfidanti.al