Tifozët e Realit do të vijnë për të parë ndeshjen e Superkupës evropiane që do të zhvillohet, më 8 gusht, mes Realit dhe Mançesterit Junajtidit në “Telekom Arenën” të Shkupit, në një numër më të vogël sesa parashikohej, për shkak të një rritjeje të pazakontë të çmimeve të hoteleve në kryeqytetin e Maqedonisë, me rastin e ndeshjes së lartpëmendur. Tifozët spanjollë, me të vërtetë, janë befasuar nga çmimet mjaft të larta të dhomave në hotelet e Shkupit.
Gazetat spanjolle “Marka” dhe “Sport” vinin në dukje, ditët e fundit, ndryshimin e madh të çmimeve të hoteleve me rastin e Superkupës evropiane, në krahasim me ato në pjesën tjetër të vitit. “Është e pabesueshme, çmimet e disa hoteleve që ndodhen pranë qendrës së Shkupit, do të arrijnë deri në 1500 euro! Problemi është se ky çmim është vetëm me rastin e Superkupës evropiane, ndërsa në pjesën tjetër të vitit ky çmim është 40-60 euro për person. Ka edhe apartamente që do të kushtojnë 2000 euro për person gjatë tri ditëve, ndërkohë që opsioni më i lirë është ndarja e dhomës së hotelit me një çmim prej 100 eurosh që, gjithashtu, është shumë më e lartë sesa zakonisht”, shkruante “Marka”. Mediumet spanjollë shkruajnë se shumë tifozë kanë vendosur që të mos shkojnë në Shkup dhe të shpenzojnë kaq para të mëdha për një ndeshje Superkupe evropiane, për më tepër që, në atë kohë, Reali do të ndeshet me Barcelonën në kuadrin e Superkupës së Spanjës.
Sfidanti.al