Ka shumë mundësi që mesfushori kroat të mos luajë me Barcelonën sezonin e ardhshëm, pavarësisht se ai ka qenë lojtar standard në formacionin e parë gjatë disa sezoneve me radhë, por vendi i tij në ekip u lëkund mbas ardhjes së disa përforcimeve të reja cilësore në “Kamp Nou”.
Trajneri Erneste Valverde e tha qartë ditët e fundit se Rakitiçi është pjesë e rëndësishme e ekipit, por nuk është e këtij mendimi kryesia e klubit katalonjas që ka vendosur ta shesë futbollistin kroat, nëse do të vijë ndonjë ofertë tunduese.
Emri i Rakitiçit kohët e fundit është lidhur me PSZH-në, por vështirë se ai do të shkojë te klubi francez, por, megjithatë, ekzistojnë shanse që ai të bashkohet me Interin që ka shprehur interesim për shërbimet e mesfushorit kroat.
Në klubin katalonjas tanimë e kanë konfirmuar se Rakitiçi ndodhet në listën e shitjes dhe se çmimi i tij është 55 milionë euro.