Quhet El Hadari, portieri “që nuk vdes kurrë”, heroi i Egjiptit!

Heroi i vendit dikur ishte Sadati, njeriu që shporri britanikët dhe francezët nga Kanali i Suezit, duke ia kthyer Egjiptit. Në futboll, heroi sot quhet Esam El Hadari, dhe bëhet fjalë për një portier me moshë 44-vjeçare. Në një kohë kur bashkëmoshatarët e tij janë nëpër studio televizive në punën komode të analistit, El Hadari mban veshur “dorezat e punës” dhe i është përveshur shumë mirë punës së tij.

Ishte falë tij që Egjipti arriti një tjetër finale të Kupës së Kombeve të Afrikës, pas 7 vjet mungese. El Hadari priti penalltinë e portierit të Burkina Fasos, Kuaku Kofi dhe pastaj të Bertrand Traores, pikërisht lojtarëve më të mirë të kundërshtarit deri në atë moment. Ishte vërtet e dhimbshme për portierin e Burkina Fasos, të lindur atëherë kur El Hadari luajti ndeshjen e parë me kombëtaren. Fillimisht, Kofi priti penalltinë e parë të gjuajtur nga egjiptianët (Adallah Said), por më pas rolet u ndryshuan.

Burkina Faso luajti më mirë në pjesën më të madhe të gjysmëfinales, por Egjipti u mbrojt mirë dhe shfrytëzoi përvojën më të madhe, plus qetësinë. Shtatë herë kampionia e kontinentit, skuadra më e mirë në historinë e Kupës së Afrikës, tashmë synon të thyejë rekordin e saj të trofeve.

Sfidanti.al