Qipro me Greqinë kaloi “pa dashje” në avantazh, mbrojtja e “rregulloi”.. situatën!

Qipro dhe Greqia luajtën, në Nikosia, ndeshjen kualifikuese në kuadrin e Kupës së Botës që, në fakt, më shumë i ngjasoi një cirku! Sulmuesit qipriotë, sikurse duket, harruan se po luanin me “vëllezërit e mëdhenj” dhe, gabimisht, kaluan në avantazh, 1-0, në min. e 18-të, por ishte mbrojtja e qipriotëve që e kuptoi shpejt gabimin e sulmuesve dhe, mbas jo më shumë se gjashtë minutash, e ktheu Greqinë në lojë. Në min. e 18-të, për qipriotët shënoi Pieros Sotiriu, por në min. e 24-t për grekët barazoi Kostas Mitroglu mbas një “gabimi” të mbrojtjes qipriote, ndërsa Aleksandors Ciolis, pa kaluar dy minuta, e kaloi në avantazh 2-1 ekipin grek mbas ekzekutimit të një korneje.

Kështu që “vëllezërit” grekë e rregulluan shumë shpejt keqkuptimin dhe u ndanë miqësisht. Madje, edhe para fillimit të ndeshjes, të dy ekipet, megjithëse u përkasin dy vendeve sovrane të ndryshme, e kënduan bashkërisht himnin “Himni i lirisë” që e kanë të përbashkët, një dukuri që nuk e sheh shpesh në fushat e futbollit! Greqia synon vendin e dytë që të mund të luajë në fazën play off, pasi Belgjika mundi 4-3 Bosnjë-Hercegovinën në Sarajevë.

Sfidanti.al